Ajvazi Kurtit: Kjo nuk është politikë sociale, por riciklim i varfërisë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Kushtrim Ajvazi, ka reaguar ashpër ndaj politikave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar atë për populizëm dhe menaxhim të dëmshëm të ekonomisë vendore.

Në një postim publik, Ajvazi ka theksuar se masat e fundit të Qeverisë, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe premtimet për “pagën e 13-të”, nuk përfaqësojnë politika sociale reale, por “riciklim të varfërisë”.

“Mshoj bablok sa t’mujsh… Pse, a mos po e rrezikon naj cent prej pasurisë tande a? S’ka problem që bizneset po e paguajnë rrymën 2–3 fish ma shtrenjtë, që fabrikat po dalin jashtë tregut, që çmimi i energjisë po i ha pagat e punëtorëve… Veç me dal dikush me thonë brenda natës: ‘Po ua jap pagën e 13-të’ e ‘po e rriti pagën minimale’. Se qështu duket mirë në kamera,” ka shkruar Ajvazi.

Sipas tij, politika e Qeverisë aktuale po e ngarkon qytetarin në mënyrë të tërthortë përmes çmimeve të rritura të energjisë dhe produkteve bazike.

“Kjo nuk është dhuratë – është kredi me kamata të larta, veç që s’ta kanë tregu normën. Shteti po të jep njëherë 100 euro në dorë, e pastaj po t’i merr 300 euro përmes faturës së rrymës, çmimit të ushqimit dhe kostos së prodhimit që përfundon në çmimin e produktit që ti e blen,” ka shtuar ai.

Ajvazi ka theksuar se në vend të shpërndarjes së bonusëve parazgjedhorë, Qeveria duhet të ulë koston e energjisë për prodhim, në mënyrë që të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit gjatë gjithë vitit.

“Nëse vërtet don me mbrojt qytetarin, nuk i jep bonuse para zgjedhjeve – e ul koston e energjisë për prodhim, që me pas çmime ma të ulëta gjithë vitin. Popullizëm i ulët,” ka përfunduar Ajvazi.

Reagimi i tij është bërë në kuadër të debatit të gjerë publik për politikat ekonomike të Qeverisë Kurti, të cilat shumë ekspertë i kanë cilësuar si të orientuara nga interesat elektorale dhe jo zhvillimi afatgjatë ekonomik. /Kosova.info/

Go to TOP