Hajdaraj: Mos fotografoni votën gjatë procesit të zgjedhjes në KPK
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, ka bërë thirrje që gjatë procesit të votimit në institucionet e drejtësisë të mos fotografohet vota.
“Mos fotografoni votën,” tha Hajdaraj gjatë fjalimit të tij në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar respektimin e rregullores për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore.
Ai theksoi se proceset e brendshme të Këshillit duhet të zhvillohen me integritet dhe konfidencialitet të plotë, në përputhje me parimet e ligjshmërisë dhe etikës profesionale.
Në të njëjtin fjalim, Hajdaraj përmendi edhe disa nga arritjet e Këshillit gjatë vitit të fundit, si rekrutimi i prokurorëve të rinj, vlerësimi i performancës, plotësimi i pozitave administrative dhe zhvillimi i karrierës përmes transferimeve dhe avancimeve. /Betimi për Drejtësi/
