IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Klinë, dy prej tyre dyshohen për përdorim armësh
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, pas një incidenti që ka ndodhur dje në një lokal në fshatin Rigjevë të Komunës së Klinës.
Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së kanë filluar veprimet hetimore bazuar në autorizimet ligjore, ndërsa nga hetimet e para dyshohet se dy prej zyrtarëve kanë shtënë me armë që nuk është armë zyrtare, në bazë të provave të gjetura në vendngjarje. Të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale “Përdorim i armës”.
Ndërkohë, IPK ka rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor nga Stacioni Policor i Klinës, i cili në cilësinë e pronarit të lokalit ku ndodhi incidenti, dyshohet se ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së. Ai akuzohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas veprës penale”, pasi dyshohet se ka ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave.
IPK ka bërë të ditur se në koordinim me prokurorinë kompetente, do të ndërmerren veprime të tjera hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. /Kosova.info/
