LBK: Pagat minimale nuk mund të vendosen pa pjesëmarrjen reale të bizneseve
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka njoftuar se nuk ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Financave, e Punës dhe e Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale.
LBK shpreh shqetësimin se proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin privat po zhvillohen pa përfshirje reale të bizneseve duke reduktuar dialogun ekonomik në një nivel simbolik. Sipas LBK-së, dialogu me bizneset nuk mund të zëvendësohet me ftesa apo takime formale. Bizneset janë kontribuuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe duhet të jenë pjesë reale e çdo procesi vendimmarrës që prek ekonominë e vendit.
Po ashtu, LBK thekson se një qeveri në detyrë nuk ka mandat e as legjitimitet të marrë vendime për çështje madhore, veçanërisht për ato ku nuk ka arritur rezultate gjatë mandatit të saj.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar të jetë zëri i pavarur dhe profesional i sektorit privat duke kërkuar bashkëpunim të sinqertë institucional, politika të balancuara dhe vendime të bazuara në analiza ekonomike, jo në agjenda të momentit politik. /Kosova.info/
