“Marre me folë pas këtij rezultati në Malishevë”, Limaj i përgjigjet burrit të Albulena Haxhiut
Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, i është kundërpërgjigjur anëtarit të VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, i cili e ka akuzuar Nismën për blerje votash në Malishevë.
Ai i ka hedhur poshtë pretendimet e burrit të Albulena Haxhiut.
Në një intervistë në “Rubikun”, Limaj ka thënë se ajo çka ka thënë Krasniqi është për marre.
“Shikojeni rezultatin, po marre është me dalë me folë pas këtij rezultati”, ka thënë Limaj, duke shtuar se fitorja e Nismës në këtë komunë ka qenë spektakolare.
“Kur t`i hup zgjedhjet ka pak ka mërzi. Kqyrne rezultatin, në Malishevë ka qenë një fitore spektakolare. Sepse në kry ka një njeri jokonfliktuoz”, është shprehur Limaj.
Në një postim në rrjetin social Facebook të hënën në mbrëmje, Krasniqi e ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të nisë një hetim paraprak për vjedhje të vota në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Malishevë.
“Thënia ‘Ja kam votu votën’ i ka rrënjët nga Nisma dhe sistemi i saj i kushtëzimit dhe shitblerjes së votës përmes asistencës”, tha Krasniqi.
Ai ka pretenduar se partia e Fatmir Limajt ka keqpërdorur votën përmes një skeme të dyshimtë të votimit të personave me asistencë.
Kjo votë e personave me asistencë, sipas akuzave të Krasniqit, është përdorur si mjet manipulimi i zgjedhjeve në Malishevë.
“A ka turp më të madh se sa për një grusht votash ti detyrosh e ti trajtosh vajzat e gratë si analfabete dhe të padenja të votojnë pa mbikëqyrje të burrave dhe rrugaqëve të partisë që shërbejnë si asistues, ti trajtosh rininë si të paaftë e të padijshëm, pensionistët si të verbër?!”, shkroi Krasniqi.
“Po mendojnë që e kanë arritur fitoren, por në fakt e kanë prekur FUNDin”, përfundoi bashkëshorti i nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.
