Ermal Panduri i përgjigjet Faton Pecit: Vetë njerëzit e koalicionit tuaj e donin fitoren e Arian Tahirit – mos tento me shpikë “armiq imagjinarë” gjatë fushatës
Moderatori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, i është përgjigjur kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, pas deklaratave të këtij të fundit, duke i kërkuar që të mos shpikë “armiq imagjinarë” gjatë fushatës.
Panduri ka theksuar se është i vetëdijshëm që Peci është në kërkim të një “armiku” për pjesën e dytë të fushatës, por i ka bërë thirrje të mos e shpikë aty ku ai nuk ekziston. Ai ka sqaruar se exit poll-i për Mitrovicën e Jugut ka qenë i pasaktë dhe se kompania UBO Consulting, e cilësuar si një nga më të besueshmet nga vetë partnerët e koalicionit të Pecit, e ka pranuar publikisht gabimin një ditë pas zgjedhjeve.
“RTV Dukagjini dhe unë personalisht nuk kemi asnjë parapëlqim për ndonjërin prej kandidatëve në garë. Ndryshe nga disa njerëz të koalicionit tuaj që atë ditë na telefononin duke shprehur dëshirën që të fitojë kundërkandidati juaj”, ka thënë Panduri.
Moderatori i njohur ka theksuar se qëllimi i RTV Dukagjinit është të vazhdojë kërkimin e së vërtetës me qetësi dhe pa polemika të shpikura apo drama të porositura. Ai i ka kujtuar Pecit se studiot e “Debat Plus”-it janë të hapura për të gjithë, duke shtuar:
“Nëse keni prova, është Prokuroria. Nëse keni plan për Mitrovicën, është Debat Plus-i.”
