Miftaraj: Qeveria në detyrë s’mund të marrë vendime – Gjykata Supreme konstatoi konflikt interesi

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, duke theksuar se kjo gjykatë ka konstatuar se qeveria në detyrë, me shumicën e ministrave që njëkohësisht ushtrojnë edhe detyrën e deputetit, nuk ka të drejtë të marrë vendime ekzekutive, pasi kjo përbën konflikt interesi dhe vepër të mundshme penale.

Sipas Miftarajt, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka njoftuar me shkresë zyrtare qeverinë në detyrë se, pas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, anëtarëve të saj nuk u takon të ushtrojnë funksione apo të qëndrojnë në objektet qeveritare.

“Edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje e di se ligji për Qeverinë nuk ua lejon të procedojnë me projektligjin për buxhetin, prandaj po kërkojnë rrugë të tjera ligjore,” ka shkruar Miftaraj.

Ai ka kritikuar ashpër disa figura të afërta me pushtetin, të cilët, sipas tij, po bëjnë “kërkesa të çuditshme që haptazi janë kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme.”

Në fund, Miftaraj ironizoi me disa prej zyrtarëve të Vetëvendosjes, përfshirë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe zyrtarin Avni Arifi, duke thënë se “edhe ata po qeshin me zë, me demek dosta rune nivelin, fshehuni pak se krejt po dalloheni.” /Kosova.info/


Go to TOP