Krasniqi: Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 është humbje për Kosovën dhe komunitetin egjiptian

Ish-ministri Elbert Krasniqi nga komuniteti egjiptian shpreh zhgënjimin e tij pas mosvotimit të Qeverisë Kurti 3 në Kuvend. Sipas tij, vendimi është humbje për të gjithë ata që besuan në bashkëpunim, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë.

Krasniqi kujton se Qeveria Kurti 2 ishte një aleat i sinqertë i komuniteteve pakicë dhe demonstronte barazi me vepra konkrete. Ai kritikon mungesën e përfshirjes së tij dhe një ministri tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian në kabinetin e propozuar duke e lidhur këtë me egoizmin e individit që refuzoi bashkëpunimin.

“Sot humbi Kosova, humbi edhe komuniteti egjiptian. Është koha e fundit të mësojmë se vendi duhet të jetë para të gjithëve, komuniteti para partisë, qytetari para politikës. Çdo kalkulim tjetër nuk na sjell as fuqi, as dinjitet – vetëm humbje”, tha Krasniqi.

Ai paralajmëron se në zgjedhjet e reja komuniteti do të japë përgjigjen përmes votës duke kujtuar edhe përvojat e mëparshme me qeverinë Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP