Cakolli: Pas dështimit të Qeverisë Kurti, vendi hyn në fazën e dytë kushtetuese – zgjedhjet e reja mbeten skenari më i mundshëm
Pas dështimit të votimit të Qeverisë së propozuar nga mandatari Albin Kurti, aktivisti i KDI-së, Eugen Cakolli, ka sqaruar hapat kushtetues që pasojnë duke theksuar se vendi tashmë ka hyrë në fazën e dytë të procedurës për formimin e Qeverisë.
Sipas Cakollit, Presidentja është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare për të vlerësuar cila prej tyre ka gjasat më të mëdha për të siguruar shumicën prej 61 votave në Kuvend. Ai kujton se Gjykata Kushtetuese ka theksuar se këto konsultime nuk janë formale, por duhet të reflektojnë mundësinë reale të krijimit të shumicës.
Pas përfundimit të konsultimeve, Presidentja duhet të vendosë kujt do t’ia japë mandatin e dytë. Cakolli thekson se ky mandat mund t’i jepet sërish partisë fituese, nëse ajo deklaron gatishmëri për shumicë, ose ndonjë partie tjetër që paraqet mbështetje të mjaftueshme në Kuvend.
Nëse asnjë parti nuk pranon mandatin, sipas Kushtetueses, Presidentja ka të drejtë dhe detyrimin ta shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Cakolli përmend se, bazuar në afatet ligjore dhe deklaratat e partive, zgjedhjet e reja mund të mbahen më 30 nëntor, 7 dhjetor ose 14 dhjetor, në varësi të datës së shpalljes zyrtare nga Presidentja. /Kosova.info/
