Fatmir Spahiu konfirmon: Ishte propozuar për Ministër të Kulturës dhe Turizmit, por nuk u votua
Aktori dhe moderatori i njohur, Fatmir Spahiu, ka zbuluar sot se ishte propozuar për të marrë postin e Ministrit të Kulturës dhe Turizmit në Qeverinë Kurti. Përmes një statusi publik, Spahiu ka treguar se kishte pranuar ftesën nga kryeministri Albin Kurti duke besuar se do ta kryente me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë detyrë.
“Te nderuar miq, sot në mëngjes duke pas bindje të plotë se do ta kry mirë këtë punë, i konfirmova Kryeministrit Kurti se do ta pranoj ftesën për pozitën Ministër i Kulturës dhe Turizmit,” ka shkruar Spahiu.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pavarësisht gatishmërisë së tij, emërimi nuk është votuar. “E falënderoj zotin Kurti që tek unë ka parë një profesionist që do ta kryente mirë këtë detyrë, sidomos për përzgjedhjen e një personi që nuk është anëtar i ndonjë partie politike,” ka shtuar ai.
Spahiu theksoi se do të vazhdojë kontributin e tij në promovimin e vlerave kulturore dhe gjuhës së butë me respekt të ndërsjellë. “Do të vazhdoj me punu për me qenë Kosova e para! Përkundër dëshirës time me dhënë një kontribut, kjo punë nuk u bë,” përfundon ai duke e mbyllur me fjalët: “Rrnofte Kosova!”
Në fund, me humor karakteristik, Spahiu shtoi se për hir të sinqeritetit kishte përgatitur dy versione të statusit – një në rast se do të votohej – dhe se “ish dasht me pagu ChatGPT Pro” për t’i shkruar më mirë. /Kosova.info/
