Prishtina nis me minibusin e parë elektrik “ECO” me teknologji të avancuar dhe qasje të barabartë për të gjithë
Drejtori i Drejtorisë së Mobilitetit në Prishtinë, Donat Lushaku, ka ndarë lajmin e mirë për qytetarët e lagjes “Prroi i Njelmët” dhe jo vetëm nisjen e minibusit të parë elektrik “ECO”, një hap i rëndësishëm drejt një kryeqyteti më të pastër dhe më të përfshirës.
Ky mjet modern është i pajisur me panele solare, ofron qasje të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta, nënat me fëmijë në karrocë dhe të moshuarit duke garantuar komoditet dhe siguri në çdo udhëtim.
Një veçori inovative e minibusi “ECO” është sistemi i testimit të alkoolit, i cili nuk lejon ndezjen e automjetit nëse drejtuesi ka tejkaluar nivelin e lejuar – një risi që vendos standard të ri në sigurinë rrugore në Kosovë.
“Përkushtimi për Prishtinën është përtej vetvetes, ai vazhdon çdo ditë; pa ndalë”, ka theksuar Lushaku duke nënvizuar se ky projekt është vetëm fillimi i transformimit të transportit publik drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe të përgjegjshme. /Kosova.info/
