Përplasje mes Muratit e Bajramit për ekonominë: Rritje më e larta në rajon vs. Inflacioni po e gërryen mirëqenien

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, lavdëron raportin e FMN-së për rritjen ekonomike të Kosovës, ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e akuzon për manipulim të narrativës duke theksuar inflacionin dhe krahasimet me qeveritë e kaluara

Murati: Politikat e Qeverisë Kurti po japin rezultate

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) duke theksuar se Kosova pritet ta ketë sërish rritjen ekonomike më të lartë në rajon për vitin 2025.

“Sipas raportit më të fundit të FMN-së, Kosova edhe sivjet do ta ketë rritjen ekonomike më të lartën në rajon. Kjo do të arrihet përkundër sfidave e krizave globale, si dhe duke mos e thelluar deficitin apo borxhin publik. Kjo edhe njëherë e dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë,” ka deklaruar Murati.

Bajrami: Në kohën kur VV gjuante me gaz e molotov, ekonomia ishte më e qëndrueshme

Por ndaj këtij vlerësimi ka reaguar ashpër deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo ka kujtuar se në periudhën kur Vetëvendosje ishte në opozitë dhe zhvillonte protesta të ashpra, ekonomia e vendit kishte tregues më të mirë.

“Atëherë kur deputeti Murati me bashkëpartiakë rrokulliste kamionë e gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend, gjendja ekonomike ka qenë më e mirë se sa sot. Në vitin 2015 rritja ekonomike ishte 5.9%, në 2016 ishte 5.6% dhe në 2017 ishte 4.8%, sipas të dhënave të Bankës Botërore,” ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, ministri po e injoron faktin se inflacioni mbetet i lartë duke theksuar se në shtator norma e inflacionit arriti në 4.7%. “Hekurani po krekoset me 3.9% rritje, por nuk po flet për çmimet që po i rëndojnë qytetarët,” ka shtuar Bajrami. /Kosova.info/

Go to TOP