Maliqi: Kurti as nuk po mundohet të krijojë qeveri – zgjedhjet e parakohshme duken të pashmangshme
Analisti politik Agon Maliqi ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në vend duke vlerësuar se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk po tregon asnjë përpjekje për të ndërtuar një shumicë qeverisëse pas mandatimit të tij.
Në një reagim publik, Maliqi theksoi se tashmë ka kaluar një javë që nga momenti kur Kurti mori mandatin për formimin e qeverisë, por sipas tij, nuk ka dhënë asnjë sinjal konkret për ndonjë nismë apo marrëveshje politike.
“Kaloi një javë që kur Kurti u mandatua për ta ndërtuar një shumicë. A nuk po ju lë përshtypje që ai as nuk po mundohet me kriju qeveri, dhe nuk po e jep asnjë sinjal për diçka të tillë? Bile paska gjetë kohë me shku deri në Holandë, edhe pse ka afat një javë para se topi me i kalu partisë së dytë,” ka shkruar Maliqi.
Ai e cilësoi këtë sjellje si vazhdim të një zhagitjeje të qëllimshme, që sipas tij ka nisur që nga muaji shkurt dhe tani është bërë mëse e dukshme.
Maliqi shtoi se, meqë zhvillimet aktuale po tregojnë qartë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, partitë e ish-opozitës duhet të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të miratuar disa çështje thelbësore.
“E pakta që partitë e ish-opozitës mund ta bëjnë para shpërbërjes së këtij Kuvendi është votimi i një qeverie teknike, miratimi i buxhetit 2026, si dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur peng,” ka theksuar Maliqi.
Reagimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur afati për formimin e qeverisë po i afrohet fundit dhe mundësia për zgjedhje të reja parlamentare po bëhet gjithnjë e më reale. /Kosova.info/
