Guvernatori Ismaili merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Qëllimit ndërmjet pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bankën e Italisë për projektin e pagesave të shpejta
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në
ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Qëllimit për projektin e pagesave të shpejta (Instant Payment) –
TIPS Clone, e organizuar në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar
(FMN) dhe Bankës Botërore (BB).
Ceremonia shënoi nënshkrimin e Letrës së Qëllimit në kuadër të projektit rajonal për zhvillimin e
sistemit të pagesave të shpejta, e cila u nënshkrua ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të
Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës
dhe Maqedonisë së Veriut. Nënshkrimi i kësaj Letre të Qëllimit është vazhdimësi e marrëveshjes së
nënshkruar në muajin janar të këtij viti por tani duke përfshirë edhe Bankën Qendrore të Maqedonisë
së Veriut.
Banka e Italisë, me aprovimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, si zhvilluese dhe
operatore e sistemit të pagesave të shpejta të Eurosistemit (TIPS), po ndërton sistemin TIPS Clone për
të ofruar këtë infrastrukturë edhe për disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Ky projekt përfaqëson iniciativën më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike të BQK-së, duke
kontribuar në realizimin e objektivave dhe Planit Strategjik të institucionit.
Ky partneritet strategjik me Bankën e Italisë shënon një moment historik për Kosovën, duke i
mundësuar të përfitojë nga ekspertiza profesionale dhe teknike dhe nga përdorimi i një sistemi të
avancuar që aktualisht operohet nga Eurosistemi. Përfitimet e tjera pritet të materializohen me
anëtarësimin e Kosovës në SEPA.
BQK shpreh falënderimin e saj ndaj Bankës së Italisë si bankave qendrore të rajonit për mbështetjen
dhe bashkëpunimin në këtë iniciativë strategjike.
Zhvillimi i sistemit nga ekipi profesionist i Bankës së Italisë konsiderohet një faktor kyç për suksesin
e projektit, veçanërisht në një kontekst ku zhvillimet teknologjike dhe aspekti gjeopolitik janë me
rëndësi të veçantë.
BQK mbetet e përkushtuar të avancojë sektorin financiar përmes projekteve konkrete që ndihmojnë
në arritjen e objektivave, duke sjellë efekte të gjera për bizneset, qytetarët dhe ekonominë në
përgjithësi, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar ofron mbështetje të rëndësishme në realizimin e tyre.
