Krasniqi: PDK i ka votat për Asamble në Drenas – qytetari është më i rëndësishëm se individi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka deklaruar se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve lokale tregon se PDK ka siguruar shumicën e votave për Asamblenë Komunale në Drenas.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për moskandidimin e Ramiz Lladrovcit për kryetar komune, Krasniqi theksoi se vendimet e partisë janë marrë në përputhje me statutin dhe rregullat e brendshme të saj.

“Vendimet që i merr një parti politike bazohen në statut dhe në rregulla të miratuara. Ne kemi marrë vendime të tilla për secilin kandidat. Nuk kemi fituar gjithkund, kështu që e njëjta pyetje mund të shtrohet për çdo komunë ku s’kemi fituar. E rëndësishme është se PDK prin në Drenas, sepse votat për Asamble kanë përfunduar dhe ne jemi të parët,” tha ai.

Krasniqi theksoi se ky rezultat është domethënës, sidomos në kontekstin aktual politik duke paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen para fundit të vitit.

“Për mua ky është një sinjal i rëndësishëm, sepse PDK po tregon forcë dhe stabilitet në terren. Kjo na përgatit për zgjedhjet nacionale që, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen para vitit të ri,” shtoi ai.

Sa i përket Ramiz Lladrovcit, kreu i PDK-së tha se e respekton rolin e tij dhe se pas përfundimit të procesit zgjedhor, situata në Drenas do të trajtohet me kujdes.

“Me sa kam kuptuar, Lladrovci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët, por zyrat janë aty ku është kryesia legjitime e partisë. Gara atje ka përfunduar. Për ne, më e rëndësishme është qytetari i Drenasit sesa individët apo ambiciet e kujtdo qoftë,” përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/

Go to TOP