Shënohet 35-vjetori i Kuvendit të Juristëve në Isniq
Sot, në fshatin Isniq të komunës së Deçanit, u mbajt një akademi solemne përkujtimore, kushtuar 35-vjetorit të Kuvendit të Juristëve, të mbajtur më 10 tetor 1990. Kjo ngjarje historike përfaqëson një moment kyç në përpjekjet për organizimin institucional dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar në Kaçanik më 7 shtator 1990.
Akademia u organizua nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, dhe mblodhi personalitete të fushës së drejtësisë, historisë dhe qytetarë, të cilët nderuan guximin dhe përkushtimin e juristëve deçanas të asaj kohe.
Fjalën qendrore në këtë akademi e mbajti Shkodran Imeraj, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, i cili theksoi se Komuna e Deçanit ishte ndër të vetmet që ndërmorën hapa konkretë për zbatimin e Kushtetutës së Kaçanikut.
“Komuna e Deçanit ishte e para dhe e vetmja që ndërmori përpjekje serioze për ta zbatuar në praktikë Kushtetutën e Kaçanikut. Statuti i Komunës së Deçanit, për nga vlera juridike dhe historike, është dokumenti i tretë më i rëndësishëm në historinë e re të Kosovës, pas Deklaratës Kushtetuese dhe vetë Kushtetutës. Ky akt frymëzoi dhe mbajti gjallë ndjenjën për liri, çlirim dhe pavarësi të vendit”, tha kryetari Imeraj.
Në vijim të programit, fjalë përshëndetëse mbajti edhe z. Ilaz Ramajli, kryetar i Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, i cili vlerësoi guximin e juristëve të Deçanit për të zbatuar Kushtetutën e Republikës në rrethana të vështira shtypjeje politike.
“Dhe pikërisht këtu, në Isniq, më 10 tetor 1990, me iniciativën e Sali Çekajt – Heroit të Kosovës, juristët e Deçanit morën përgjegjësinë që ta bëjnë këtë kushtetutë dokument të gjallë, duke e vënë në veprim përmes harmonizimit të Statutit të Komunës dhe zbatimit të parimeve të shtetit të së drejtës. Këta burra, në një periudhë errësire e frike, zgjodhën guximin në vend të heshtjes, përgjegjësinë në vend të komoditetit dhe veprën në vend të pritjes”, tha kryetari Ramajli.
Një dëshmi të rëndësishme historike solli edhe Zeqir Ramosaj, ish-anëtar i grupit të juristëve të Deçanit, i cili ishte pjesë e ekipit që harmonizoi Statutin e Komunës së Deçanit me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Kushtetutës së Kaçanikut. Ai ndau me të pranishmit përvojën e asaj kohe dhe sfidat përballë represionit të regjimit serb.
“Ne nuk e ndërtuam thjesht një statut – ndërtuam një akt që mishëronte vullnetin politik e juridik të qytetarëve të komunës së Deçanit, në përputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ky ishte një akt i qëllimshëm dhe i guximshëm, që shënoi fillimin e funksionalizimit të institucioneve të pavarura në përputhje me vullnetin e popullit”, tha Ramosaj.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Mehmet Bojkaj, ish-kryetar i Komunës së Deçanit.
Përmes kësaj akademie, u nderua jo vetëm kujtimi i ngjarjes, por edhe trashëgimia profesionale dhe kombëtare e juristëve të cilët, me dije, përkushtim dhe guxim, i dolën zot vendit në një ndër periudhat më të vështira të historisë moderne të Kosovës.
