DhTIK për reduktime masive të energjisë: Bizneset po pësojnë dëme të mëdha dhe pasiguri

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka reaguar ashpër ndaj reduktimeve të shumta të energjisë elektrike që po ndodhin ditëve të fundit në mbarë vendin duke i cilësuar ato si goditje të rëndë për bizneset dhe ekonominë vendore.

Në një komunikatë për media, DhTIK shpreh shqetësimin e thellë për ndërprerjet e paparalajmëruara dhe pa orar të caktuar, të cilat, sipas saj, po dëmtojnë rëndë prodhimin, kontratat eksportuese dhe stabilitetin e vendeve të punës.

“Këto reduktime po ndodhin në një kohë kur bizneset tashmë përballen me rritjen e çmimit të energjisë për 16.1% dhe me pasiguritë që ka shkaktuar procesi i liberalizimit të tregut të energjisë,” thuhet në reagim.

DhTIK ka pranuar dhjetëra ankesa nga anëtarët e saj në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa thekson se bizneset që veprojnë në tregun e lirë, pavarësisht tarifave të larta që paguajnë, nuk po marrin furnizim të rregullt dhe të sigurt me energji – gjë që, sipas Dhomës, përbën shkelje të parimeve bazë të tregut të hapur.

Dhoma rikujton se gjatë procesit të liberalizimit të tregut, kishte paralajmëruar për mungesën e garancive për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Në fund, DhTIK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse – ZRRE, KOSTT, KEDS, KESCO dhe Ministrisë së Ekonomisë – që të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e stabilitetit energjetik dhe të publikojnë një plan transparent të furnizimit për periudhën në vijim.

Njëkohësisht, kërkohet shqyrtimi urgjent i mekanizmave kompensues për bizneset që kanë pësuar dëme nga ndërprerjet e vazhdueshme. /Kosova.info/


Go to TOP