Rama: Pallati i Rinisë bëhet qendër e kulturës, e teknologjisë dhe e sportit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar sot marrëveshjen me Pallatin e Rinisë, përmes së cilës janë siguruar hapësira për Galerinë e Artit, për E-sportin dhe për Inovation Centre Kosovo (ICK), krahas hapësirave që tashmë shfrytëzohen nga klubet sportive të Kryeqytetit.
Rama tha se ky është një hap i rëndësishëm në kthimin e identitetit të Pallatit të Rinisë duke e shndërruar atë në një qendër të gjallë ku takohen sporti, kultura dhe inovacioni.
“Sot nënshkruam marrëveshjen me Pallatin e Rinisë, ku u siguruan hapësirat për Galerinë e Artit, për E-sportin dhe për ICK-në, përveç hapësirave të tjera që tashmë janë në shfrytëzim nga klubet sportive të Kryeqytetit. Tani ky pallat ikonik i rinisë, përveç sportit, i përket edhe kulturës. Së bashku po ia kthejmë identitetin e Prishtinës së vjetër duke e ndërlidhur me ritmin dhe energjinë e Prishtinës së sotme,” ka deklaruar Rama.
Ky projekt synon ta bëjë Pallatin e Rinisë një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse për të rinjtë, artistët dhe inovatorët e Kryeqytetit duke reflektuar shpirtin dinamik të Prishtinës bashkëkohore. /Kosova.info/
