Sondazh: Alban Hyseni (VV) prin në Gjilan – Arbër Ismajli (LDK) ndjek me diferencë të moderuar
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se në Komunën e Gjilanit prin kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, me një përkrahje të qëndrueshme, ndërsa pas tij renditet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arbër Ismajli.
Rezultatet tregojnë një garë të qartë mes dy subjekteve kryesore politike, ndërsa PDK, AAK dhe BNA mbeten me përqindje më të ulëta të mbështetjes.

Sondazhi është realizuar gjatë periudhës 25 shtator – 3 tetor 2025, me 1,276 të intervistuar në qytetin e Gjilanit dhe në disa fshatra përreth (Përlepnicë, Pogragjë, Pasjak, Livoç i Epërm dhe Zhegër). Anketimi u zhvillua në formë fizike dhe digjitale, në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor” duke respektuar standardet profesionale të anonimitetit dhe përfaqësimit demografik.
Sipas sondazhit, Alban Hyseni (VV) prin me 49.6%, një përqindje që e afron ndjeshëm drejt fitores që në raundin e parë. Arbër Ismajli (LDK) mban vendin e dytë me 31.1% duke reflektuar një elektorat të qëndrueshëm tradicional të LDK-së në komunë. Diferenca prej mbi 18 pikë përqindjeje midis dy kandidatëve të parë e vendos Gjilanin në mesin e komunave ku rezultati duket më i pranishëm për fitore pa balotazh, thonë analistët e Kosova.info.
Ky sondazh për Gjilanin është pjesë e serisë së matjeve që Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” po zhvillojnë në të gjitha komunat e Kosovës, për të reflektuar prirjet elektorale në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit 2025. /Kosova.info/
