Limaj në Vushtrri: Izmaku e zonja të ndërtojë bashkëpunime

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, gjatë tubimit elektoral në Vushtrri, kërkoi nga qytetarët që Xhevahire Izmakut, kandidates së kësaj partie për kryetare të komunës, t’i japin përkrahje dhe atë për shumë arsye. Limaj tha se Izmaku jo vetëm që është e guximshme, por edhe është e zonja të ndërtojë bashkëpunime.

Në tubimin elektoral në Vushtrri të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, e cilësoi si hap të guximshëm kandidimin e Xhevahire Izmakut për kryetare të komunës. Prandaj, qytetarëve të Vushtrrisë, ai u bëri thirrje që të bëhen bashkë në mënyrë që një grua, për të cilën tha se di të ndërtojë bashkëpunime, të bëhet kryetare e Vushtrrisë.

“Kur jemi një shoqëri aktive promovojmë djem e vajza qe kane vendos me i shërbye qytetit qe i jep kuptim asaj qe kemi punuar për një shtet të lirë vijmë si një popull i qytetëruar djem e vajza për t’i shërbyer Vushtrrisë. Xhevahire Izmaku, ka marre hap te guximshëm për Vushtrrinë, me i ofrua mundësinë Vushtrrisë se gratë janë për të udhëhequr Të bashkohemi qe Vushtrria për herë të parë ta ketë një grua kryetare. e cila din me ndërtua bashkëpunime. Ju ftoj që ta çojmë një mesazh si Vushtrri për Xhevën kryetare”, tha Limaj.

Pasi shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë nga partia, Xhevahire Izmaku, kandidate për kryetare të Vushtrrisë nga Nisma Socialdemokrate, rikujtoi rëndësinë e organizimit të partisë dhe detyrën e përfaqësuesve të saj që të jenë pranë qytetarëve.

Duke kërkuar mbështetje për kandidatët e kësaj partie për Kuvendin Komunal, aty u tha se këtij institucioni lokal I duhen djem e vajza qe kuptojnë problemet e qytetarëve.


Go to TOP