​Vetura inteligjente e policisë, ndëshkohen 3 shoferë për shkelje trafiku në Ferizaj

Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tre shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut, gjatë kontrolleve të realizuara me veturën inteligjente të policisë.

Kjo veturë e avancuar, e pajisur me radarë që monitorojnë rrugën në 360°, lexojnë targa dhe regjistrojnë kundërvajtjet në kohë reale, ka mundësuar identifikimin e tre rasteve të tejkalimit të shpejtësisë.

Rasti i parë është regjistruar rreth orës 17:30, në rrugën Ferizaj–Varosh–Gërlicë, ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h. Shoferët A.T. (20 vjeç) me veturën VW Golf dhe E.Sh. (19 vjeç) me furgonin Mercedes, janë ndalur duke vozitur me 113 km/h dhe 115 km/h.

Të dy janë ndëshkuar me nga 300 euro gjobë, 3 pikë negative dhe ndalim të drejtimit për 3 muaj.

Ndërkaq, rreth orës 20:00, në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, në fshatin Nikaj, është ndaluar shoferja L.B. (47 vjeçe) e cila po drejtonte Audi Q7 me shpejtësi 153 km/h në zonën me kufizim 80 km/h.

Asaj po ashtu i është shqiptuar 300 euro gjobë, 3 pikë negative dhe ndalim i drejtimit për 3 muaj.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të kufizimeve të shpejtësisë duke paralajmëruar se kontrollet me veturën inteligjente do të vazhdojnë me intensitet për të identifikuar shkeljet dhe parandaluar aksidentet rrugore. /Kosova.info/


Go to TOP