“Jam aty”, Jock Covey komenton pikturën e paraqitur në Hagë

Në Hagë, ka nisur dëshminë e tij, zëvendësi kryesor i Bernarnd Kouchnerit, Jock Covey.

Në fillim të dëshmisë së tij, brenda sallës së gjyqit u shfaq një pikturë e cila gjendet në librin e gjeneralit Mike Jackson, e cila tregonte shumë persona brenda saj.

Avokati Luka Mishetiq pyeti dëshmitarin amerikan lidhur me personat të cilët ishin pikturuar, e për të cilët ky i fundit pati disa fjalë.

“Po, më kujtohet fotoja. Kam marrë pjesë edhe unë aty. Artisti ma tregoi pikturën të cilën ishte duke e bërë sepse synonte të më fuste edhe mua në pikturë, në fakt më kishte pikturuar. Unë jam aty në të majtë pas Agim Çekut, kërkova që ta pikturonte edhe shefin e policisë i cili ishte i sëmurë në atë kohë sepse ai ishte funksion i rëndësishëm. Artisti bëri këtë punë dhe sipas kërkesës sime më pikturoi në një mënyrë pak më të dukshme”.

“Personi me flokët e gjata është artisti, me sa e di unë ai erdhi aty vetëm me leje të KFOR-it për të bërë këtë pikturë. Ka persona të ndryshëm aty. Unë kam parë thjesht pikturën që ishte duke u pikturuara sepse ai donte të më përfshinte edhe mua”, tha dëshmitari.

Tutje, Covey tha se mbledhja që shihet në pikturë, ishte e zakonshme, e kryesuar nga Mike Jackson për të zhvilluar më tej detajet e marrëveshjes.

“Kam marrë pjesë në disa prej këtyre mbledhjeve përgatitore dhe nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin të pranishëm në njërën prej këtyre mbledhjeve”.

Më pas, dëshmitari tregoi edhe emrat që i kujtoheshin e të cilët shfaqen në pikturë.

“Këshilltari politik i Gjeneralit Jackson, një oficer emri i të cilit nuk më kujtohet, Mike Jackson, Bernard Kouchner, Shefi i policisë, unë, një oficer i UÇK-së nuk më kujtohet. UÇK-ja zakonisht uleshin përball Jacksonit. Pra, Agim Çeku zakonisht ulej përballë Gjeneralit Jackson dhe komandantët e tjerë rajonalë uleshin në të djathtë të tij”.

Mishetiq vazhdoi me pyetje për dëshmitarin Covey.

Ai kërkoi të dinte nëse Hashim Thaçi kishte marrë pjesë në diskutimet e takimit të fundit.

“Jo, nuk mori pjesë e as nuk kishte kërkuar që të bënte një gjë të tillë. Gjenerali Çeku foli në emër të takimeve të UÇK-së”, deklaroi Covey.

Go to TOP