Vëllaznimi mund Trepçën në një sfidë dramatike
Skuadra gjakovare, Vëllaznimi, ka fituar një ndeshje dramatike ndaj Trepçës së Mitrovicës me rezultat 24:23, në takimin e xhiros së dytë të Superligës së hendbollit.
Golin e fitores e shënoi Ardi Halili në sekondat e fundit të ndeshjes. Çlirim Rama realizoi tetë gola për Vëllaznimin, ndërsa Halili shtatë. Te Trepça më efikasi ishte Butrint Miftari me tetë gola.
Ndërkohë, në Podujevë, Llapi triumfoi ndaj Vushtrrisë 41:38. Blerton Hasani shënoi 8 gola për Llapin, ndërsa te Vushtrria më efikas ishte Amir Fazliu po me 8 gola.
Kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi bindshëm ndaj Prishtinës 55:33. Mali Luzha realizoi 10 gola për Rahovecin, ndërsa te Prishtina më efikasi ishte Enis Kuleta me 11 gola.
Xhiroja vazhdon të dielën me derbin Besa Famgasi – Kastrioti në palestrën “Karagaçi” në Pejë nga ora 19:00. /Kosova.info/
