AUV sqaron: Peshku i ngrirë në treg është i sigurt për konsum
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka lëshuar një njoftim për opinionin publik lidhur me praninë e mundshme të parazitëve të llojit Anisakis simplex në disa lloje peshqish deti apo oqeani. Ky fenomen, sipas AUV-së, është i njohur ndërkombëtarisht, por nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut kur bëhet fjalë për peshk të ngrirë.
“Procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta e shkatërron aftësinë e këtyre parazitëve për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C”, thuhet në njoftim.
Rreziku eventual mund të shfaqet vetëm në rastet kur konsumohet peshk i freskët (i pa ngrirë dhe pa trajtim termik), në forma si crudo, sushi apo sashimi. Për këtë arsye, legjislacioni i Kosovës, i harmonizuar me direktivat e BE-së, kërkon që peshku i destinuar për konsum të tillë të jetë i ngrirë paraprakisht.
Këto standarde, siç thekson AUV, janë të bazuara në studime shkencore dhe rekomandime të institucioneve ndërkombëtare si EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore) dhe FAO (Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi).
Agjencia ka bërë apel që qytetarët, mediat dhe institucionet të mbështeten në informacione të sakta dhe profesionale duke shmangur keqinterpretimet që mund të shkaktojnë panik të panevojshëm.
“AUV do të vazhdojë të mbikëqyrë dhe kontrollojë në mënyrë rigoroze sigurinë ushqimore në treg, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/
