Përurohet lapidari i dëshmorit Ilaz Javori në Malishevë

Sot, në 27-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Ilaz Javori, në fshatin Llazicë të Komunës së Malishevës u përurua lapidari në nderim të tij.

Sipas njoftimit, në ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtues dhe zyrtarë komunalë, kryetari i OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë.

Kryetari Kastrati në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se vepra e Ilaz Javorit dhe e të gjithë dëshmorëve është sinonim i lirisë. “Falë sakrificës së tyre, sot jetojmë të lirë dhe institucionet do të angazhohen për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave”, tha ai.

Metush Kryeziu vlerësoi kontributin e dëshmorit dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke theksuar se çdo rënie ishte motiv për vazhdimin e luftës.

Kujtime për Ilaz Javorin ndau bashkëluftëtari i tij, Demush Krasniqi, ndërsa në emër të familjes, djali i dëshmorit, Taulant Javori, falënderoi Komunën e Malishevës dhe të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e lapidarit, si dhe të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoni. /Kosova.info/


Go to TOP