Bizneset tashmë mund të regjistrohen online përmes platformës e-Kosova

Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë (MINT) ka njoftuar se nga data 9 qershor 2025, është mundësuar regjistrimi fillestar i shoqërive tregtare edhe përmes platformës elektronike e-Kosova duke u bazuar në Vendimin nr.299 të datës 05.06.2025, të nxjerrë nga Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).

Ky proces i ri bën që regjistrimi i bizneseve të kryhet plotësisht online, përfshirë aplikimin, miratimin e lëndës dhe lëshimin e certifikatës elektronike, pa pasur nevojë që aplikuesi të paraqitet në sportelet e ARBK-së dhe të dorëzojë dokumente në formë fizike.

Ndërkohë, regjistrimi përmes sistemit ekzistues e-Regjistri i Biznesit do të vazhdojë të funksionojë pjesërisht elektronikisht, ku aplikimi dhe miratimi bëhen online, por certifikata merret në sportelet e ARBK-së apo në Qendrat Komunale të Biznesit (QKB), në komunat ku bizneset ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Dokumentet e dorëzuara elektronikisht nga aplikuesit do të arkivohen fizikisht nga zyrtarët e ARBK-së apo QKB-ve, por qytetarët nuk do të kenë më obligim t’i sjellin personalisht. Përmes platformës e-Kosova, bizneset do të kenë qasje të plotë në informacionet dhe historikun e tyre, gjithmonë në mënyrë elektronike, pa u paraqitur fizikisht në sportelet përkatëse.

MINT ka theksuar se aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare, qoftë përmes e-Kosova, e-Regjistri i Biznesit, apo fizikisht në sportelet e ARBK-së apo QKB-ve, vazhdon të jetë pa pagesë.

Megjithatë, sportelet e ARBK-së dhe QKB-ve do të mbeten të hapura për bizneset dhe qytetarët që duan të kryejnë shërbime në formë fizike. /Kosova.info/


Go to TOP