ZKA: Sistemi i Tatimit në Pronë nuk garanton të dhëna të sakta dhe të besueshme

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të Teknologjisë së Informacionit për “Sistemin e Informacionit të Tatimit në Pronë (SITP)” për periudhën 2024 – korrik 2025, ku është vlerësuar nëse ky sistem siguron të dhëna cilësore, të sakta dhe të besueshme.

Rezultatet tregojnë se SITP nuk garanton plotësisht ofrimin e të dhënave të sakta, të plota dhe të besueshme. Sipas raportit, dobësitë në zhvillimin dhe funksionimin e sistemit, mungesa e procedurave të standardizuara për testim dhe aprovime, si dhe kontrollet e pamjaftueshme, kanë ndikuar negativisht në integritetin e të dhënave dhe në menaxhimin efikas të tatimit.

Auditimi ka evidentuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila menaxhon SITP, nuk siguron mekanizma të mjaftueshëm kontrolli për të garantuar që zhvillimet e realizuara arrijnë qëllimet e synuara. Po ashtu, mungesa e kontrolleve hyrëse në aplikacion ka krijuar rreziqe për saktësinë e të dhënave, ndërsa mangësitë në ndërlidhjen me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe me Sistemin e Anketimit kanë sjellë pasaktësi për tatimpaguesit dhe pronat.

Raporti evidenton gjithashtu probleme në regjistrimin e pagesave, duke mos përfshirë datën e saktë të tyre dhe duke mos pasqyruar gjendjen reale të faturave. Kjo ka sjellë raste kur qytetarët janë penalizuar me interes pavarësisht pagesave të kryera në kohë. Proceset manuale, sipas auditimit, rrisin rrezikun e gabimeve dhe humbjes së të dhënave, ndërsa mangësitë në kontrollet e sigurisë e bëjnë sistemin më të cenueshëm ndaj keqpërdorimeve.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se ndonëse SITP ka transformuar administrimin e tatimit në pronë duke e bërë më të menaxhueshëm, ai ende nuk garanton të dhëna të plota dhe të besueshme.

Për adresimin e këtyre çështjeve, ZKA ka dhënë 14 rekomandime për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Raportin e plotë të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë (SITP)”, mund ta gjeni [këtu]. /Kosova.info/


Go to TOP