“Reuters”: Ekspertët kinezë të dronëve punuan me prodhuesin e sanksionuar rus të armëve
Ekspertët kinezë të dronëve kanë udhëtuar në Rusi për të kryer punë rreth zhvillimit teknik të dronëve ushtarakë te një prodhues shtetëror i armëve që është nën sanksione perëndimore, sipas dy zyrtarëve evropianë të sigurisë dhe dokumenteve që i ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekspertët kinezë e kanë vizituar prodhuesin e armëve “IEMZ Kupol” në më shumë se gjashtë raste që nga çereku i dytë i vitit të kaluar. Gjatë asaj periudhe, ky prodhues gjithashtu pranoi dërgesa me dronë sulmues e vëzhgues të prodhimit kinez përmes një ndërmjetësi rus, sipas dokumenteve dhe dy zyrtarëve.
Në shtatorin e vitit të kaluar, agjencia “Reuters” kishte dokumentuar se prodhuesi “Kupol” kishte zhvilluar një dron të ri në Kinë, “Garpiya-3”, me ndihmën e specialistëve vendës.
Dy zyrtarët, të cilët kërkuan që as ata, as organizata e tyre të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave, thanë se ky bashkëpunim lë të kuptohet për një marrëdhënie që po thellohet rreth zhvillimit të dronëve mes prodhuesit rus “Kupol” dhe kompanive kineze. Dronët janë dëshmuar si mjete me rëndësi jetike për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se nuk ishte e vetëdijshme për një bashkëpunim të tillë. “Kina gjithmonë ka mbajtur pozicion objektiv dhe të drejtë rreth çështjes së krizës së Ukrainës, pa i ofruar kurrë armë vdekjeprurëse asnjë pale në konflikt dhe duke i kontrolluar në mënyrë të rreptë produktet me përdorim të dyfishtë, përfshirë eksportet e dronëve” – tha kjo ministri në një deklaratë.
Kremlini, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe prodhuesi “IEMZ Kupol” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Dokumentet, përfshirë fatura biznesi dhe deklarata bankare, tregojnë se prodhuesi rus pranoi më shumë se dhjetë dronë sulmues vitin e kaluar, të prodhuar nga prodhuesi kinez i dronëve, “Sichuan AEE”.
Dronët u ofruan nga kompania ruse për blerje në fushën e mbrojtjes, “TSK Vektor”, e cila është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sipas zyrtarëve dhe dokumenteve. Kompanitë “TSK Vektor” dhe “Sichuan AEE” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e vendeve evropiane në mënyrë të përsëritur kanë shprehur shqetësim se kompanitë kineze mund të jenë duke i furnizuar prodhuesit rusë të armëve dhe madje kanë vendosur sanksione kundër disa prej tyre.
