Enver Petrovci, ikona e skenës shqiptare – Ministri Çeku: Trashëgimia e tij do të jetojë përjetësisht

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të shquar, Enver Petrovci, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare.

Në telegramin e tij, Çeku u shpreh se Petrovci ishte “më shumë se një emër i madh i skenës sonë: ishte zëri, fytyra dhe shpirti i shumë roleve që shënjuan teatrin, filmin dhe kujtesën kulturore të vendit tonë”.

Ai theksoi se jeta e aktorit ishte e lidhur ngushtë me artin dhe publikun, ndërsa talenti i tij i pashtershëm u dhuroi gjeneratave të tëra emocione, reflektim dhe dashuri për kulturën.

“Enver Petrovci ka lënë pas një trashëgimi që do të frymëzojë përherë. Kujtimi për të dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla përjetësisht”, theksoi ministri Çeku, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Petrovci, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin artistik. /Kosova.info/

Go to TOP