Dje Britania, (…), sot pritet Franca, dikur Shqipëria – por sa shtete e njohin Palestinën?

Shkruan: Enis REÇICA

Mbrëmë vonë, edhe Portugalia iu bashkua karvanit të shteteve perëndimore për ta njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës. Para portugezëve të Cristiano Ronaldos, këtë vendim e mori Britania e Madhe, Australia e Kanada. Vendimi i kësaj të fundit qe, mbase më befasuesi, pasi ishte kundër që Palestina të fitonte statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtarë” në OKB gjatë aplikimit të vitit 2012.

E për Britanikët, ky vendim ishte një borxh i paharruar nga palestinezët për marrëveshjet-premtimet e parealizuara të kohës së Luftës së Parë Botërore, kur ishte nënshkruar edhe Marrëveshja e Sykes-Picot me Francën, dhe Deklarata e Balfour-it.

E sot, pritet që edhe Franca ta njoh zyrtarisht Palestinën si shtet i pavarur, pas premtimeve të muajve më parë nga presidentit Emmanuel Macron. Data 22 shtator, si dita e njohjes, u përmend dje nga sekretari i parë i partisë socialiste, njëherësh deputeti Oliver Faure.

Këto shtete i bashkohen grupit të gjerë të vendeve, që tashmë veçse e kanë njohur Palestinën, e cila, në kohën moderne, kishte shpallur Deklaratën Zyrtare të Pavarësisë në vitin 1988. Që nga atëherë, deri në vitin 2022, Palestinën e kanë njohur plot 138 shtete, nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria, bashkë me 82 vende të tjera, e njohën Palestinën qysh në vitin e parë të shpalljes së pavarësisë. Ndërsa, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia e kishte njohur më 1988, Bosnja e Hercegovina më 1992, Mali i Zi më 2006. Kurse Kroacia nuk e njohu ende, por ka raporte diplomatike. E Maqedonia e Veriut as nuk e njeh, dhe as nuk ka raporte diplomatike me Palestinën. E Kosova…?

Palestina, që nga shpallja e pavarësisë më 1988, ka kërkuar anëtarësim në OKB, por është kundërshtuar nga Izraeli, SHBA dhe disa vende të tjera. Në vitin 2012, Palestinës iu dha statusi i Shtetit Vëzhgues Jo-Anëtar në Asamblenë e Përgjithshme, çka e rriti shumë qëndrimin ndërkombëtar të saj. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas bëri një tjetër apel për anëtarësim të plotë në OKB në vitin 2022.

Go to TOP