LBK dhe Oda Ekonomike e Gjenevës hapin rrugën për investime dhe integrim më të gjerë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), e udhëhequr nga kryetari Besart Dreshaj dhe kordinatori për kantonin e Gjenevës, Xhavit Islami, ka zhvilluar një takim zyrtar me Kryetarin e Odës Ekonomike të Gjenevës, Vincent Subilia, dhe anëtarët e saj. Takimi shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Gjatë diskutimeve, delegacioni nga Kosova prezantoi trendet aktuale të zhvillimit ekonomik dhe avantazhet që vendi ofron për investitorët e huaj. Ndër këto u veçuan kostoja konkurruese operative, fuqia punëtore e re, dinamike dhe shumëgjuhëshe, si dhe potenciali i madh në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve ishte edhe roli i diasporës shqiptare, e cila po shihet si një kapital i fuqishëm financiar dhe menaxherial. Përfaqësuesit e LBK-së theksuan se diaspora mund të luajë një rol kyç në zgjerimin e eksporteve, rritjen e prodhimit dhe fuqizimin e brendit të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

Delegacioni gjithashtu prezantoi mundësitë për lansimin e prodhimeve kosovare në tregun e Gjenevës duke vënë në pah cilësinë e produkteve vendore dhe potencialin e tyre për të krijuar partneritete strategjike me bizneset zvicerane.

Në përmbyllje, të dy palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për të shqyrtuar projekte konkrete në sektorë kyç të ekonomisë kosovare duke vendosur themelet për një partneritet afatgjatë dhe të qëndrueshëm. /Kosova.info/


Go to TOP