Sulm kibernetik në sistemet e fluturimeve, vonesa për udhëtarët
Një sulm kibernetik ndaj sistemeve të regjistrimit në aeroporte ka shkaktuar pengesa të mëdha në trafikun ajror dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore të Evropës.
Aeroporti i Brukselit ka njoftuar se regjistrimi ishte i mundur vetëm manualisht para hipjes në avion dhe se ky sulm pati ndikim në oraret e fluturimeve.
“Një sulm kibernetik u krye të premten mbrëma, më 19 shtator, ndaj ofruesit të shërbimeve për sistemet e regjistrimit dhe hipjes, që preku disa aeroporte evropiane, përfshirë Aeroportin e Brukselit,” thuhet në një deklaratë.
Autoritetet në Aeroportin Brandenburg të Berlinit thanë se një ofrues shërbimesh për sistemet e menaxhimit të pasagjerëve u sulmua të premten në mbrëmje, duke detyruar operatorët e aeroportit të ndërprisnin lidhjet me sistemet.
Aeroportet i këshilluan udhëtarët të kontrollonin përditësimet e fluturimeve të tyre, duke kërkuar falje për këtë problem.
Collins, kompania amerikane që mundëson regjistrimin për udhëtarët, tha se ishte “në dijeni të pengesave të shkaktuara nga një sulm kibernetik” në softuerin e saj MUSE (Multi-User System Environment) në “disa aeroporte të zgjedhura,” por se operacionet manuale për regjistrimin janë të mundshme.
