`SUMMER CULT 12` hapet me moton: `Jeto artin përtej kornizave`
Festivali Teatror “SUMMER CULT 12” ka nisur të hënën në Prishtinë dhe do të vazhdojë deri më 20 shtator 2025. Në këtë ngjarje, ku arti na bashkon përtej kufijve tradicionalë, krijohet një platformë unike për teatrin dhe artistët e rinj.
Ky festival sjell në skenën teatrore trupa nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria.
Edicioni i 12-të i “Summer Cult” përfshin 6 ditë të mbushura me shfaqje teatrore, lexime skenike, profile artistësh dhe trajnime profesionale, Stand-up komedi dhe debate pas shfaqjeve, si dhe ndarjen e çmimeve.
Festivali mbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktorët/aktoret më të mira, si dhe një çmim special, të cilat do të përzgjidhen nga juria profesionale e festivalit: Zymber Kelmendi, dramaturg dhe skenarist, Suela Konjari, aktore dhe regjisore, si dhe Gent Çajani, regjisor dhe producent.
Të gjitha shfaqjet janë falas për publikun dhe në fund të secilës shfaqje, do të ketë edhe diskutime dhe kritikë teatrore.
Ngjarjet mbahen nga data 15-20 shtator 2025 në Barabar Center dhe Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
