Krasniqi: Dëshmia e Rubin-it është zëri i administratës Clinton, jo vetëm një opinion personal
Gazetari Besnik Krasniqi ka komentuar dëshminë e James Rubin në Hagë duke theksuar se ajo nuk përfaqëson vetëm një version personal të një ish-zyrtari amerikan, por qëndrimin e tërë administratës së ish-presidentit Bill Clinton.
Sipas tij, Rubin shembi themelet e propagandës serbe, të cilat janë ricikluar nga Prokuroria e Hagës në aktakuzat kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së. “Ai tha se SHBA-ja nuk do ta mbështeste një organizatë që kryente krime lufte,” u shpreh Krasniqi.
Gazetari theksoi se Rubin rrëzoi edhe përpjekjet për ta paraqitur UÇK-në si krijesë të krimit të organizuar apo të trafikantëve të drogës. “Rubin tha qartë se SHBA-ja nuk do ta mbështeste një organizatë të krijuar nga krimi i organizuar,” shtoi ai duke përmendur edhe pamfletistët që sipas tij kanë shpërndarë narrativa të tilla.
Një tjetër zbardhje e rëndësishme, sipas Krasniqit, ishte deklarimi i Rubin-it se ambasadori Chris Hill nuk ishte kurrë neutral, por favorizonte Rugovën dhe rezistencën paqësore, ndërkohë që sot është kthyer në lobist të Serbisë në SHBA.
“Duke përdorur si referencë të dhëna të CIA-s, Rubin ekspozoi mashtrimet e Serbisë, rrëzoi narrativat e saj për UÇK-në të kthyera në aktakuzë nga Gjykata Speciale dhe demaskoi ata që shërbyen apo ende shërbejnë si zëdhënës të Serbisë, qoftë në Beograd, Hagë apo Prishtinë,” përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/
