Vdes një i burgosur në Spitalin e Pejës, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore

Një i burgosur me inicialet T. Zh. ka humbur jetën sot në Spitalin Rajonal të Pejës, pas një periudhe të gjatë përballjeje me probleme shëndetësore.

Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, i ndjeri ishte trajtuar për vite me radhë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalin e Pejës. Vetëm nga viti 2021 e këtej, ai kishte kaluar mbi 100 herë në vizita dhe hospitalizime të ndryshme.

”Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet T. Zh.

I njëjti, për shumë vite me radhë, ishte trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe në Spitalin Rajonal të Pejës, ku pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ka ndërruar jetë.

Gjatë gjithë kohës, i burgosuri është trajtuar në kuadër të SHSKUK-së me mbi 100 vizita dhe hospitalizime që nga viti 2021. Si rrjedhojë, edhe gjatë qëndrimit në burg, pothuajse tërë kohën ka qenë i trajtuar në stacionarin e burgut.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, SHKK kishte bërë kërkesë edhe për pezullimin e dënimit të tij per çka ishte refuzuar nga gjykata.

Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e vdekjes”.


Go to TOP