Kurti nis fushatën e LVV-së: Do t’i çlirojmë komunat nga prapambeturia dhe korrupsioni
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, një ditë para datës zyrtare. Në një tubim në Prishtinë, LVV mobilizoi simpatizantë e anëtarë për t’i kërkuar angazhim në sigurimin e më shumë votave.
Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli për nevojën e modernizimit dhe zhvillimit në komunat e vendit, por nuk komentoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.
“Jemi lodhur nga komunat dembele, duam komuna që sjellin modernizim, zhvillim, mirëqenie, transformim dhe siguri. Ka ardhur momenti që qeverisja e mirë të shtrihet edhe në nivel lokal,” tha Kurti.
Ai theksoi se LVV i ka të rinjtë energjikë, me ide të reja dhe kreativitet cilësor, ndërsa partitë e vjetra shpesh krijojnë konflikte mes interesit publik dhe privat.
“Këto zgjedhje janë një betejë e veçantë. Komunat sot janë të lidhura me interesa private dhe drejtues të korruptuar. Ne do ta çlirojmë secilën komunë nga prapambeturia dhe hajnia e partive të vjetra. Ka ardhur koha që në komuna të fitojë subjekti që pasurinë nuk e mat me konto bankare, por me zhvillim ekonomik,” shtoi ai.
Kurti theksoi nevojën për kryetarë komunash që bashkëpunojnë me Qeverinë dhe qytetarët duke u bërë thirrje qytetarëve për mbështetje dhe angazhim në zgjedhjet e tetorit. /Kosova.info/
