DhTIK: Marrëdhëniet e fuqishme me SHBA-të janë jetike
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës përmes një komunikate ka thënë se ka pranuar me shqetësim të thellë lajmin për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. DHTIK vlerëson se ky proces ishte konceptuar si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë.
Tutje në komunikatë DHTIK thekson se marrëdhëniet e fuqishme dhe të qëndrueshme me SHBA-në janë jetike, pasi, sipas tyre, SHBA ka qenë gjithmonë partneri ynë më i madh strategjik dhe ka dhënë mbështetje vendimtare për ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
DHTIK vlerëson se çdo veprim apo deklaratë që rrezikon prishjen e këtij raporti është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të Kosovës.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka qenë e para që ka kërkuar nga qeveria që me urgjencë të heq taksën ndaj prodhimeve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi ishin të vonshëm dhe pa ndonjë efekt pozitiv. Bizneset e Kosovës kanë nevojë për stabilitet politik, siguri juridike dhe partneritete ndërkombëtare për të ecur përpara”, përfundon komunikata. /Kosova.info/
