LBK reagon ndaj pezullimit të Dialogut Strategjik: Kosova nuk ka partner më të madh se SHBA-ja
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën. Sipas saj, ky zhvillim përbën një sinjal serioz për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit duke ngritur shqetësime për marrëdhëniet me aleatin historik më të madh të Kosovës.
“Kosova nuk ka luksin të humbasë mbështetjen e SHBA-së. E ardhmja jonë ekonomike, siguria dhe zhvillimi afatgjatë janë të ndërlidhura ngushtë me këtë partneritet strategjik. Çdo hap që cenon këtë marrëdhënie dobëson perspektivën tonë për stabilitet dhe për integrim në ekonominë globale”, thuhet në reagimin e LBK-së.
LBK thekson se në këtë moment vendimtar është e domosdoshme që institucionet e Kosovës dhe skena politike të tregojnë përgjegjësi të lartë dhe të rikthejnë menjëherë koordinimin me partnerët amerikanë. Sipas saj, vetëm përmes një klime të qëndrueshme politike dhe diplomatike mund të sigurohet besimi i investitorëve, të hapen tregje të reja dhe të gjenerohen mundësi të qëndrueshme për bizneset dhe qytetarët.
“Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm një çështje politike – ajo është themeli i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, çdo veprim duhet të jetë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të kësaj lidhjeje jetike”, thekson LBK.
Në reagim shtohet se Kosova nuk ka partner më të madh dhe më të besueshëm se SHBA-ja, ndërsa marrëdhënia me to është garancia më e fortë për stabilitet politik, siguri dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.
LBK i bën thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë me përgjegjësi politike dhe diplomatike duke riforcuar koordinimin me SHBA-në dhe duke rikthyer besimin në këtë raport strategjik.
“Vetëm përmes një qasjeje të qëndrueshme dhe bashkëpunuese, Kosova mund të mbrojë interesin e saj kombëtar, të sigurojë investime të reja dhe të krijojë mirëqenie për qytetarët e saj”, përfundon reagimi i LBK-së. /Kosova.info/
