OEAK: Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është hap prapa për Kosovën

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë pas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një zhvillim negativ për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit.

Në reagimin e saj, Oda thekson se ky është një moment vendimtar për Kosovën dhe kërkon nga institucionet që të ndryshojnë qasjen, duke u angazhuar në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

“Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj,” thuhet në komunikatë.

Sipas Odës, vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv me aleatët e saj më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitet, të çlirojë potencialin ekonomik dhe të sigurojë mirëqenie afatgjatë për qytetarët.

Oda Ekonomike Amerikane riafirmon përkushtimin e saj për të mbështetur avancimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke u bërë thirrje aktorëve politikë dhe jopolitikë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun. /Kosova.info/


Go to TOP