Ballazhi: Komplot i FSB-së dhe BIA-s serbe për të eliminuar politikisht Ramush Haradinajn

Aktivisti shqiptar në SHBA, Flamur Ballazhi, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me një skenar të përgatitur kundër liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se shumë muaj më parë ishte informuar nga inteligjenca britanike se një informacion i rremë ishte dërguar në Presidencën e Kosovës, me qëllim që të përdorej për ta akuzuar Haradinajn për një grusht shteti.

Sipas Ballazhit, raporti i rremë kishte ardhur në institucionet e Kosovës nga informatorë jashtë vendit, të cilët dyshohet se janë të lidhur me shërbimin sekret rus (FSB) dhe agjencinë e inteligjencës serbe (BIA).

“Ky ishte një komplot brenda shtetit kundër udhëheqësit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe qëllimi ishte eliminimi i tij politik, ashtu siç u tentua më herët eliminimi i Thaçit dhe Veselit me dokumente e prova të fabrikuara nga e majta radikale”, u shpreh Ballazhi.

Ai shtoi se ky zbulim u bë i mundur përmes një bashkëpunimi të gjatë me inteligjenca të huaja dhe theksoi se rasti duhet të hetohet jo vetëm nga Prokuroria në Kosovë, por edhe nga institucionet amerikane.

Ballazhi paralajmëroi se do të publikohen edhe dokumente dhe prova të tjera që lidhen me këtë komplot, duke theksuar se “kjo çështje nuk do të kalojë lehtë”. /Kosova.info/

Go to TOP