Obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore: KPM sqaron rregullat për OSHM-të
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar udhëzime për Ofruesit e Shërbimeve Mediale (OSHM) lidhur me mbulimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale. Sipas Rregullores KPM-2024/03, miratuar më 16 dhjetor 2024, mediat duhet të sigurojnë mbulim të drejtë dhe të balancuar për të gjitha subjektet politike të certifikuara (SPC).
OSHM-të që planifikojnë të transmetojnë përmbajtje gjatë fushatës duhet të njoftojnë KPM-në jo më larg se shtatë ditë para fillimit të saj. Gjithashtu, duhet të publikojnë një javë më parë orarin, çmimet dhe kohën e shitur apo të ofruar pa pagesë për reklamat politike, dhe të dorëzojnë ditarët e transmetimit çdo të hënë për javën paraprake.
Sipas rregullores, mediat mund të ofrojnë maksimumi 6 orë hapësirë për SPC gjatë fushatës, me 90 minuta për secilën parti për çdo ditë, ndërmjet orës 12:00 dhe 24:00. Pikat reklamuese politike nuk mund të jenë më të gjata se 2 minuta dhe duhet të identifikohen qartë, pa përfshirjen e fëmijëve. Debatet politike duhet të publikohen paraprakisht me orarin dhe pjesëmarrësit, dhe nuk lejohen sponsorizime nga partitë apo subjektet tjera.
Gjithashtu, gjatë fushatës, mediat mund të publikojnë sondazhe dhe anketa vetëm sipas kritereve të parapara, ndërsa hulumtimet online ndalohen. Materiali i aktivitetit të fushatës nuk mund të transmetohet gjatë ditës së votimit, ndërsa rezultatet e sondazheve dhe dalja në votime nuk mund të publikohen 24 orë para mbylljes së vendvotimeve. Mediat mund të transmetojnë vetëm prononcimet e kandidatëve dhe liderëve të partive.
Në ditën e zgjedhjeve, OSHM-të duhet të raportojnë për mbarëvajtjen e procesit, pjesëmarrjen, njoftimet zyrtare dhe çdo problem të mundshëm. Afati për përgjigje ndaj ankesave është 24 orë nga marrja e tyre.
KPM kërkon nga të gjitha mediat e licencuara që të veprojnë në përputhje me rregullat e Rregullores KPM-2024/03 dhe legjislacionin përkatës në Republikën e Kosovës. /Kosova.info/
