Abdixhiku nis betejën për zgjedhjet lokale: LDK gati nga 13 shtatori deri më 12 tetor
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbledhur sot kryetarët e degëve për të shënuar nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet lokale.
Në një deklaratë publike, Abdixhiku tha se fushata e LDK-së do të fillojë më 13 shtator në Prishtinë dhe do të vazhdojë deri më 12 tetor, ditën e zgjedhjeve. Ai theksoi se partia është e gatshme të hyjë në çdo lagje, fshat dhe qytet, për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët.
“Fushata jonë do të jetë e ndershme dhe plot shpresë. Kandidatët tanë janë njerëz të punës, të përgjegjësisë e të shpresës. Ata do të jenë kudo pranë qytetarëve, sepse ky është misioni ynë: të shërbejmë, të rikthejmë besimin dhe ta kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK synon t’i japë fund papërgjegjësisë politike dhe ta rikthejë veten si forcë udhëheqëse e shtetit. “Le t’i japim vendit tonë shpresën që meriton. Le ta kthejmë LDK-në aty ku e ka vendin, forcë udhëheqëse e shtetit”, theksoi ai, duke përfunduar fjalën me urimin “Zoti e bekoftë Republikën tonë”. /Kosova.info/
