LDK refuzon mbledhjen e thirrur nga Dimal Basha, Lushaku-Sadriu: Kryesia e Kuvendit nuk është kompletuar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka përsëritur qëndrimin e partisë së saj për mospjesëmarrje në mbledhjen e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Ajo tha se paralajmërimet e LDK-së për shkelje kushtetuese janë vërtetuar edhe në të kaluarën, duke kujtuar se seanca e fundit u mbyll pa u kompletuar kryesia e Kuvendit.
“Për shumë seanca të cilat u shpallën jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese kanë qenë të paralajmëruara nga ne. Në këtë frymë ka qenë edhe seanca e fundit, e cila pa u kompletuar kryesia u mbyll seanca konstitutive. Në mbledhjen e cila është thirrur nga kryetari i kuvendit nuk do të marrim pjesë”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo gjithashtu e cilësoi si “gabim teknik” votimin e Emilija Rexhepit për nënkryetare, duke shtuar se LDK do të shqyrtojë hapat e mëtejmë.
“Ne do të shohim fazat se si do të veprojmë. Bëjmë thirrje që të gjitha partitë politike t’i kthehen veprimeve kushtetuese”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, ndërsa si nënkryetarë janë zgjedhur Albulena Haxhiu (VV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK) dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet jo-shumicë. Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur, dhe pas kësaj Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive, duke thënë se janë konsumuar të gjitha opsionet. /Kosova.info/
