Nis faza e dytë e asfaltimit të Rrugës A
Ka nisur asfaltimi i një segmenti të ‘Rrugës A’, e cila ndërlidhet me Rrugën B dhe disa lagje kryesore në Prishtinë. Zyrtarët komunalë kanë dhënë më shumë detaje rreth punimeve të nisura, duke theksuar rëndësinë që ky projekt ka për qytetarët.
Ka filluar faza e dytë e asfaltimit të ‘Rrugës A’, që vlerësohet si njëra nga arteriet e rëndësishme të kryeqytetit. Kjo rrugë është konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të kryeqytetit, pasi që lidh disa prej lagjeve kryesore të Prishtinës dhe u jep fund problemeve nga kanalizimi i hapur në këtë pjesë.
‘Rruga A’, që lidhet me lagjet e Spitalit, Veternikut, Kalabrisë dhe rrugën B, pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit, të zvogëlojë ngarkesën e trafikut dhe të përmirësojë qasjen dhe zhvillimin brenda këtyre lagjeve.
Sipas zyrtarëve komunal, ‘Rruga A’ do të krijojë infrastrukturë më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë banorët e kryeqytetit.
“Projekti parashikohet të zhvillohet në disa faza. Faza e parë konsiston në lidhjen e rrugës B me rrugën A, me një gjatësi prej 1.5 km. Sipas planifikimeve, kjo pjesë e parë do të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa në vitet në vijim do të vijojë realizimi i fazave të tjera. Segmenti i parë ka një kosto prej 8.4 milionë eurosh”, tha Pellum Bajqinovci, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge kanë filluar në pranverë të vitit 2023, kurse, sipas planifikimeve, ky projekt pritet të përfundojë brenda katër viteve të ardhshme.
Rruga parashihet të jetë me gjashtë korsi, duke përfshirë edhe shtigje për biçikleta e trotuare.
