Rama: Xhim Xhema, njeriu që afroi Kosovën me SHBA-të

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar me mirënjohje veprimtarin e njohur të çështjes shqiptare në SHBA, Xhim Xhema duke e cilësuar si një nga figurat kyçe që bëri të mundur afrimin e zërit të Kosovës në Washington.

Rama rikujtoi vizitën historike të datës 29 gusht 1990, kur një delegacion prej shtatë senatorësh amerikanë i udhëhequr nga Bob Dole, së bashku me John Warner, Jake Garn, Don Nickles, Al D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack, vizituan Prishtinën.

Sipas tij, kjo vizitë nuk do të ishte realizuar pa iniciativën dhe përpjekjet e palodhura të Xhim Xhemës, i cili krijoi ura të forta mes Kosovës dhe institucioneve amerikane.

“Në një kohë kur zërat tanë po heshteshin, prania e tyre na dha shpresë dhe i tregoi botës se lufta e Kosovës për liri e dinjitet po dëgjohej”, shkroi Rama.

Ai shtoi se sot Prishtina është qyteti i dritës, kreativitetit dhe mundësive, ndërsa në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, kujtohet se solidariteti dhe miqësia janë forca që ndryshojnë historinë.

“Miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, e ndërtuar me vizion dhe përkushtim nga njerëz si Xhim Xhema, mbetet gur themeli i së ardhmes sonë. Faleminderit”, përfundoi Rama. /Kosova.info/


Go to TOP