Haziri: VV, PDK dhe deputetë të tjerë votuan bashkautor të një punimi që përbaltos UÇK-në

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit duke e cilësuar procesin si një fillim jo të mbarë dhe me shkelje kushtetuese.

Ai ka theksuar se partia e parë, e cila gëzon të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit, e kaloi këtë proces pa marrëveshje politike, vetëm përmes insistimit procedurial. Haziri u shpreh i pakënaqur me faktin se PDK dhe deputetë të disa grupeve politike votuan pro kandidatit të pestë të propozuar nga VV.

“VV, PDK dhe deputetë të tjerë, zgjodhën për kryetar Kuvendi bashkautorin e një punimi që përbaltos UÇK-në duke nxitur pakënaqësi të mëdha për përshkrimin dhe cilësimin e luftës çlirimtare. E rëndë shumë, me thënë të drejtën”, ka deklaruar ai.

Haziri shtoi se në këtë punim, përveç diskreditimit të UÇK-së, janë bërë edhe përshkrime fyese ndaj Islamit dhe besimit fetar, gjë që sipas tij e bën edhe më të rëndë vendimin e deputetëve që votuan kandidaturën.

Megjithatë, Haziri tha se është ndër ata që gjithmonë japin mundësinë e dytë, por vetëm kur gabimi pranohet dhe kërkohet falje, e jo kur manipulohet e vërteta. /Kosova.info/


Go to TOP