DhTIK: Rritja e çmimit të energjisë po reflekton në shtrenjtimin e produkteve, kërkohet ndërhyrje urgjente e institucioneve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar pas publikimit të të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) duke theksuar se paralajmërimet e saj për pasojat e rritjes së çmimit të energjisë tashmë po vërtetohen.

Sipas ASK-së, çmimet e prodhimit u rritën për 4,1% në tremujorin e dytë të vitit 2025 (prill–qershor), krahasuar me periudhën paraprake. Ngritjet më të theksuara u regjistruan te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%), shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%), prodhimi i veshjeve (6,7%) dhe prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%).

DhTIK kujton se kishte paralajmëruar se një rritje e menjëhershme e çmimit të energjisë për 16,1%, e kombinuar me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë – i cili sipas tyre u shoqërua me shkelje – do të ndikonte zinxhir në rritjen e kostove të prodhimit dhe çmimeve për qytetarët.

“Rritja e kostove po e vështirëson konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikon ruajtjen e vendeve të punës,” thuhet në reagimin e DhTIK.

Prandaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat ekonomike. /Kosova.info/


Go to TOP