Cakolli: Kosova po shtyhet drejt një krize të re kushtetuese, edhe më të thellë se ajo për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet me një krizë të re kushtetuese, e cila sipas tij do të jetë edhe më e thellë se ajo që ndodhi me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Ai thekson se me konsumimin procedural të të gjitha kandidaturave të mundshme nga radhët e komunitetit serb – pavarësisht se procedura e ndjekur nuk është në harmoni me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese – Kuvendi, pas seancës së ardhshme, mund të mbetet pa kandidat për nënkryetar dhe rrjedhimisht pa arsye për t’u mbledhur.

“E gjithë kjo situatë, si rezultat i devijimeve procedurale dhe shkeljes së aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit, do të përfundojë ose si rast i ri në Kushtetuese, ose eventualisht me zgjedhje të reja pas skadimit të afatit 30-ditor, varësisht prej përfundimit të shqyrtimit të kërkesës së dërguar nga Presidentja,” ka deklaruar Cakolli.

Sipas tij, në rast të inicimit të një rasti të ri kushtetues, vendi do të humbiste disa javë apo muaj të tëra. Skema më e mirë, sipas Cakollit, do të ishte anulimi i procedurës dhe kthimi në pikën zero duke iu rikthyer praktikës së votimit të nënkryetarëve të komuniteteve në pako.

Megjithatë, ai paralajmëron se skenari më i rrezikshëm do të ishte krijimi i një precedenti që do të kodifikonte një shumicë të dyfishtë për propozimin dhe zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve – gjë që, siç thotë, duhet shmangur me çdo kusht. /Kosova.info/


Go to TOP