Promovohet edicioni i tretë i PrishtinArt, hapësira të harruara gjallërohen nga arti
Mbrëmë, në një atmosferë frymëzuese mes artistësh, Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, së bashku me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, promovuan edicionin e tretë të festivalit PrishtinArt.
“Ky edicion fokusohet në hapësirat e harruara të qytetit, të cilat marrin jetë përmes veprave të artistëve të kryeqytetit dhe talenteve të reja. Me krijimtarinë e tyre, këta artistë po kontribuojnë në transformimin e qytetit, duke e shndërruar atë në një hapësirë të gjallë kulturore dhe kreative”, tha ajo.
Drejtoresha Halimi theksoi rëndësinë e këtij festivali për promovimin e artit lokal dhe për nxitjen e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në aktivitetet kulturore të kryeqytetit. /Kosova.info/
