Tragjike, aksident me fatalitet në Korroticë – policia jep detaje

Një person ka humbur jetën në fshatin Korroticë të Drenasit si pasojë e një aksidenti në komunikacion.

Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili thotë se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur pasi që gjatë lëvizjes, shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është rrokullisur në shiritin e majtë të rrugës.

“Me datën 27.08.2025 rreth orës 02:08 ne rrugën nacionale Prishtinë –Pejë në fshatin Korroticë është shkaktuar aksident trafiku. Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur pasi që gjatë lëvizjes, shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është rrokullisur në shiritin e majtë të rrugës. Në vendngjarje ka arritur ekipi emergjent, te cilët kanë marrë personin e lënduar dhe e kanë transportuar për trajtim mjekësor, por më vonë mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Në vend të ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore për të hetuar shkaqet tjera të aksidentit, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pa jete mbetet të dërgohet ne obduksion”, thekson Hoxha.

Edhe familjarët e të ndjerit kanë lajmëruar për vdekjen përmes rrjetit social Facebook.

Policia e Kosovës tregon se shumica e aksidenteve në trafik po shkaktohen nga shoferët dhe u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.

“Nga pesëdhjetenëntë (59) persona që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor për periudhën Janar-Korrik 2025, tridhjetë e tre apo 55.9 %, kanë qenë shoferë. Kërkojmë nga te gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve që të jenë vigjilent gjatë drejtimit të automjeteve, në mënyrë që të shmangen aksidentet rrugore që shpesh po rezultojnë me humbje të jetëve njerëzore.” -deklaroi Policia

Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut po ndërmerr dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi, me të vetmin qëllim parandalimin e aksidenteve të tilla. 


Go to TOP